“Shtëpia e të Humburve” Sides (Play by Zgjim Baraliu)

Në skenë: Ilir Guri dhe Vera Drini

Në derën e dhomës së hotelit ku përkohësisht po qëndron regjisori Ilir Guri, troket Vera Drini. Ajo ka veshur një fustan të kuq dhe është rregulluar me flokët dhe grimin, sa që knaqet kur e sheh.

Iliri

Oh, Vera, për pak s’të njoha! Kur të pashë m’u duk vetja se ndodhesha në Nju Jork, në Natën e Krishtlindjes, kur vajzat vishen me të kuqe … ja kështu si ti.

Vera 

Sa më pëlqen Nju Jorku, sidomos gjate Krishtlindjeve, me gjithë ato drita nëpër rrugë, kur bie borë e gjithçka shndërrohet në përrallë. Kam pasur gjithmonë dëshirë ta vizitojë Rockefeller Center, aty ku bëhet patinazh. Nuk di të bëjë patinazh por kam parë shumë filma të bukur që luhen aty. Atë vend e kam peng në jetë. 

Iliri

Peng në jetë? Po pse?

Vera 

Thjeshtë kam qejf ta vizitoj Nju Jorkun, por nuk kam mundur, të paktën deri tash.

Iliri

Ja, ngrihu në këmbë dhe paramendojme sikur jemi në Nju Jork, te Rockefeller Center.

Vera ngrihet në këmbë dhe Iliri kap dorën e saj. Por Vera seç ka një tension të pashpjegueshëm.

Vera 

Por, nuk e kam fustanin tim të preferuar.

Iliri

Dukesh e bukur kështu siç je.

Vera ka një ndjesi e çuditshme, ndoshta diçka që nuk e ka ndierë asnjëherë ndaj një mashkulli tjetër. Iliri ia zgjat dorën Verës si në klishetë klasike kur një burrë e fton në vallëzim një grua. 

Iliri

Dëshironi të vallëzoni me mua, zonjusha Vera?

Vera 

Sigurisht, zotëri Ilir!

Teksa vallëzojnë Iliri e vendos dorën tek beli i Verës. Edhe Vera sikur harrohet për një moment dhe shtrinë krahët rreth qafës së Ilirit. Ata vallëzojnë ngadaltë. Por, Verën seç e rrëmben papritur një tension, sikur kur t’i ketë rënë ndërmend një mendim i keq. Ajo sakaq e shtyn Ilirin dhe kthehet e ulet në separe.

Iliri 

Më fal! Mos gabova gjë?

Vera 

Nuk ke nevojë!

Vera për një moment merr frymë më shpejt, pastaj e hap çantën e saj dhe merr një cigare. Iliri e ndal muzikën menjëherë. Ai merr nga tavolina dosjen e zbardhulët të Nard  Bjeshkës, djaloshit 13-vjeçar, i vrarë apo i zhdukur në rrethana të panjohura më 12 prill të vitit 1999. 

Iliri

Nuk ka asnjë arsye të besojmë se kjo autopsi mund të jetë e manipuluar ose e falsifikuar. Cila është arsyeja të besojmë kështu? 

Vera e dëgjon Ilirin disi e përhumbur. Duket se nuk e ka mendjen aty. Ajo flet si mbas shpine. 

Vera 

Në fillim të hetimeve Agimi qe treguar më shumë i arsyeshëm, na pati treguar se te Verrishtat e Vokshit e kishte gjetur njërën këpucë të djalit. Është keq të thuhet, por kjo na pati lehtësuar pak.

Iliri

Pse prokuroria nuk jep urdhër që të hapet ai varr në Mejë, qoftë edhe pa lejen e Agim Bjeshkës? 

Vera 

Pati një përpjekje të tillë para 5 viteve, por Agimi nuk pranoi. Tha se në rast se hapej ai varr ai nuk do të shkonte për t’i identifikuar mbetjet mortore. Prandaj dhe prokurori anuloi urdhrin.   

Iliri

Më shumë po më tmerrojnë të gjallët se sa vdekurit dhe varret.

Vera 

Thua se as për të gjallët e këtij vendi s’mund të bësh një film?    

Iliri

Nuk e di, Vera! Edhe ti … seç më duket se nuk ndryshon shumë nga të tjerët! Në fillim pata përshtypjen se ishe më ndryshe, më mendjehapur, jo paragjykuese …

Vera ndërhyn.

Vera 

… dhe sonte u demantove, apo jo?

Iliri

Po ti, ç’pate, po vallëzonim shumë mirë?   

Vera 

Oh vallëzimi im, e Nju Jorku im! 

Iliri 

Se si reagove ashtu befas, çfarë ndodhi me ty?

Vera 

S’di si ta them, kështu më ndodhë thuajse gjithmonë, e kam shumë të vështirë të jem njeri i lumtur, qoftë edhe për një çast të vetëm. 

Iliri 

Pse? Njerëzit duhet të jenë të lumtur me atë që kanë, me atë që iu ofrohet. 

Vera 

E, po, ja që nuk janë! Njerëzit këtu … dua të them, ne këtu, nuk jemi të lumtur. Ndoshta këtu paqja dhe lumturia nuk funksionojnë sipas logjikes njerëzore. Ndoshta këtu njeriu është i dënuar të jetë përjetësisht fajtor.

Iliri 

Pse fajtor? Siç më duket që ke diçka për t’më treguar?

Vera 

Harroje. Edhe nëse do të kisha diçka të tregoja nuk do doja, kjo ndoshta do të ishte më mirë.

Iliri 

Pse mendon do të ishte më mirë?… Mund të më besosh.

Vera nuk flet.

Iliri

Vera, vërtetë është se nuk kemi shumë kohë që njihemi, por ti më pëlqen shumë.

Vera

Dhe?

Iliri

Dhe, çfarë? Mos bëj shaka me mua se po flas seriozisht.

Vera

Ah, Ilir, ndonjëherë mendoj që je naiv. Kot që mundohemi të flasim për pëlqimet kur e dimë se realiteti është krejtësisht ndryshe.

Iliri

Si është ndryshe?

Vera

Si po mendon, si do të funksiononte një lidhje kur ti je në Amerikë e unë jam këtu?

Iliri

Hajde me mu. A nuk me the që parë që e ke qejf Nju Jorkun? 

Vera

Nuk është aç e thjeshtë, Ilir.

Iliri

Pse, Vera! Largohu nga kjo përditshmëri. A nuk je lodhur nga e gjithë kjo?

Vera

Unë i përkas këtij vendi … Shtëpisë së të Humburve.

Iliri

Shtëpisë së të Humburve? Do ta gjejnë dikë tjetër.

Vera

Ilir, të lutem, mjaft.

Iliri

Nuk është ëndërr kjo që po them, është diçka që mund të ndodh, në qoftë se bashkë kemi dëshirë. 

Iliri i afrohet Verës ia prek flokët.

Iliri

Më pëlqen gjithçka tek ti Vera. Na jep një shans që të dyve!

Vera me shumë tension tubon letrat dhe dosjen e Nard Bjeshkës e fut në çantë. Niset për të dal nga dhoma. Iliri i qaset prapa.

Iliri

Vera, Vera, prit, ku po shkon?